Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Derbit në Pejë e në Vushtrri

Java e dytë e Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve vjen me derbi të tjerë. Besa Famgas – Kastrioti është ndeshja kryesore e së shtunës. Besa Famgas synon të vazhdojë me fitore dhe me dominim të plotë, por ferizajasit kanë shpallur synime të mëdha për këtë kampionat. Pasi Kastrioti u testua seriozisht në xhiron e parë nga Vushtrria, do të tentojë t’i dëshmojë ekipit pejan se ka nivelin e duhur për ta rivalizuar në këtë edicion.

Ndeshja Besa – Kastrioti luhet të shtunën nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Të shtunën prej orës 19:00 është edhe takimi Llapi – Prishtina. Prishtina ishte e lirë në xhiron e parë, ndërsa është favorite e madhe ndaj Llapit.

Vushtrria – Rahoveci është derbi tjetër i javës së dytë. Bëhet fjalë për dy skuadra me synime për kreun e tabelës dhe që kanë bërë përforcime të shumta. Pritet ndeshje e fortë dhe interesante deri në fund. Ndeshja në Vushtrri luhet të dielën nga ora 16:00. Deçani – Trepça është ndeshja që e mbyllë xhiron e dytë. Kjo ndeshje luhet të dielën nga ora 18:00. Mysafirët vlerësohen favoritë.