Dramë e spektakël, Trepça fiton Kupën

Me spektakël të mahnitshëm ka përfunduar turneu final i Kupës së Kosovës në hendboll. Në praninë e kryeministrit Albin Kurti dhe të një numri të konsiderueshëm shikuesish, Trepça ka mposhtur Besa Famgasin në finale dhe i është gëzuar trofeut të çmuar.
Ndeshja është vendosur vetëm pasi janë gjuajtur nga 11 penallti. Dhe mitrovicasit në fund fituan me rezultat 40:39. Portieri Meriton Lladrovci ndali gjuajtjen e fundit të ndeshjes më interesante të viteve të fundit.
Kupën, kapitenit të Trepçës, Sali Maxhera, ia dorëzuan kryeministri Kurti dhe presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.
Besa Famgas nisi më mirë ndeshjen dhe vazhdimisht ishte në epërsi. Por Trepça nuk u dorëzua. Disa herë ia doli të barazojë rezultatin, por jo edhe të kaloi para. Për herë të parë mitrovicasit kaluan para në minutën e 58-të, 31:30. Më pas rezultati u barazua në 31:31. Pak sekonda para fundit Deniz Terziqi realizoi penallti për 32:31, por pengoi Besën që të nis aksionin nga mesi. U ndëshkua me të kuq dhe shkaktoi penallti për Besën. Egzon Gjuka ishte i saktë dhe kështu finalja vendosej me penallti. Pas pesë penalltive të para, nuk kishte fitues. Nuk kishte fitues as pasi u gjuajtën edhe nga pesë penallti të tjera. Në serinë e 11-të, Lulzim Shabani shënoi për Trepçën e në anën tjetër Lladrovci ndali gjuajtjen e Arbios Mushkolajt, që kishte realizuar dy penalltitë e mëparshme.
Terziqi i shënoi 14 gola për Trepçën. Shtatë i kishte Lulzim Shabani, ndërsa gjashtë i realizoi Maxhera.
Egzon Gjuka i shënoi tetë gola për Besa Famgasin. Nga shtatë i kishin Jon Muqolli e Arbios Mushkolaj.
Trepça në gjysmëfinale kishte mposhtur Prishtinën, ndërsa Besa Famgas fitoi ndaj Rahovecit.
Trepça ka fituar Kupën për herë të parë pas 21 vjetësh. Këtë trofe e ka fituar tri herë tashmë. Ndërkohë Besa Famgas, skuadra dominante e hendbollit kosovar, Kupën e ka fituar plot 14 herë.

Lajme tjera