Anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, të martën janë pritur në takim në Federatën e Hendbollit të Kosovës.
Presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci kanë pritur deputetin Ardian Gola, kryetar i komisionit, deputeten Albena Reshitaj, nënkryetare e komisionit dhe anëtaret e këtij komisioni: Arijeta Rexhepi, Arjeta Fejza, Adriana Matoshi.
Presidenti Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm Gjinovci kanë njoftuar deputetët me aktivitetet e Federatës së Hendbollit të Kosovës, ngjarjet ndërkombëtare që janë mbajtur e do të mbahen në Kosovë si dhe sukseset në vijimësi.
Ndërkohë deputetët janë interesuar lidhur me zbatimin e Ligjit për Sponsorizime në fushën e sportit. Është diskutuar për gjetjen e mundësive për përmirësimin e mëtejmë të ligjit si dhe lehtësimin e funksionimit të tij.
Drejtuesit e FHK-së kanë paraqitur qëndrimin se Ligji për Sponsorizime ka ndihmuar shumë sportin. Deputeti Gola ka treguar se ky komision ka themeluar grupin punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ai tha se interes i komisionit është vazhdimi i zbatimit të ligjit në fjalë.
Janë shkëmbyer ide e informata që ligji të jetë më lehtë i zbatueshëm dhe që të hyrat për sportin prej tij të jenë më të mëdha.