Hendbollistët e grupmoshës së juniorëve (U21) të Kosovës i janë afruar suksesit historik. Ata të dielen (nesër) paraqiten në finale të garës së rëndësishme IHF Trophy Intercontinental dhe me fitore do të kualifikohen për kampionatin botëror të juniorëve që mbahet në verë në Spanjë. Ende asnjë ekip kombëtar i Kosovës nuk është paraqitur në kampionat botëror.
Kosova U21 të shtunën në gjysmëfinale fitoi bindshëm ndaj Paraguajit me rezultat 36:27. Ndaj Paraguajit të papërshtatshëm, djelmoshat tanë patën telashe në hapje të ndeshjes, por më pas në shprehje erdhi cilësia dhe fitorja në fund ishte bindëse. Kështu Kosova U21 ka vazhduar rrugëtimin perfekt në IHF Trophy Intercontinental. Djelmoshat e strategut Fatmir Muhaxheri në ndeshjen e parë kanë fituar ndaj Taipeit Kinez me rezultat 31:23. Më pas fituan ndaj Nigerisë me rezultat 34:21 dhe bindëse ishte edhe fitorja ndaj Paraguajit.
Në finalen e madhe, Kosova U21 do të luajë pikërisht me Taipein Kinez, kundërshtarin e parë të kampionatit që po mbahet në Prishtinë. Ndeshja luhet nga ora 18:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.
Në gjysmëfinalen tjetër që poashtu u luajt të shtunën, Taipei Kinez befasoi SHBA-në duke e mposhtur me rezultat 41:36. Të shtunën është luajtur edhe ndeshja për vendin e pestë në mes të Nigerisë dhe Australisë. Fitore shënoi Nigeria me rezultat 37:21.
Të dielen nga ora 14:00 luhet ndeshja për vend të tretë në mes të SHBA-së e Paraguajit, kurse nga ora 18:00 është finalja mes Kosovës e Taipeit Kinez.
Kosova U21 – Paraguaji U21 36:27
Kosova U21: Art Luzha, Labinot Gubetini 1, Arben Dugolli 3, Besian Abazi 2, Lulzim Shabani 7, Rinor Avdulli 1, Drenit Tahirukaj 6, Festim Mustafa 2, Flakrim Beqiraj, Jon Muqolli 5, Albin Xhafolli 5, Atdhe Basholli, Adrian Halili 3, Blend Dalladaku 1.