Edhe tri përfaqësuese shkojnë tutje

Spanja e ka mposhtur Hungarinë për të kaluar grupin në fazën preliminare të kampionatit evropian të hendbollit që po mbahet në Kroaci. Të hënën mbrëma në Varazhdin, spanjollët shënuan fitore me rezultatin 27:25. Spanja është e vetmja me dy fitore në grupin D dhe me katër pikë nga dy ndeshje ka avancuar tutje, përkatësisht ka zënë vend në fazën e dytë grupore.

Në ndeshjen tjetër të grupit D, Çekia bëri befasi duke e mposhtur Danimarkën me një gol dallim, 28:27. Danimarka e Çekia i kanë nga dy pikë dhe janë në pozitë të favorshme për të kaluar tutje. Pa pikë në këtë grup ka mbetur vetëm Hungaria. Vetëm i fundit në grup nuk kalon tutje, ndërsa në ndeshjet e fundit më 17 janar takohen Çekia me Hungarinë dhe Spanja me Danimarkën.

Prej grupit C tutje kanë kaluar Maqedonia e Gjermania. Të dy ndeshjet e së hënës mbrëma ishin dramatike. Sllovenia e Gjermania luajtën baras, 25:25. Miha Zarabec me pesë gola ishte më efikasi te Sllovenia, derisa Uwe Gensheimer udhëhoqi Gjermaninë me shtatë gola.

Ndeshja në mes rivalëve ballkanas, Malit të Zi dhe Maqedonisë u mbyll me fitoren 29:28 të Maqedonisë. Më 17 janar takohen Gjermania me Maqedoninë dhe Mali i Zi me Slloveninë.

Maqedonia me katër pikë dhe Gjermania me tri tashmë janë në fazën e dytë. Sllovenia ka një pikë, ndërsa Mali i Zi është pa pikë.

Të martën luhen ndeshjet e fundit në grupet A dhe B.

Lajme tjera