Njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm në Kombëtaren e Kosovës në hendboll, Egzon Gjuka, i është nënshtruar një operimi në gju. Operimi ishte i suksesshëm, ndërsa tani Gjukën e pret faza e rikuperimit. Ai pritet të kthehet në muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Gjuka, që luan në pozitën e qendrës dhe të bekut, është lënduar në ndeshjen e Rahovecit ndaj Besa Famgasit. Ka lënduar ligamentin në ndeshjen shumë të rëndësishme të skuadrës së tij.
Ai ka udhëhequr Rahovecin drejt fitoreve të mëdha në këtë edicion. Rahoveci nuk ka asnjë humbje në Superligë, ndërsa udhëheq në tabelë me pikë maksimale.
Gjatë verës Gjuka kaloi nga Besa Famgas te Rahoveci. Besën e Pejës e udhëhoqi drejt titullit të kampionit këtë vit, ndërsa drejt sukseseve tjera kulmore në vitet e kaluara.
Gjuka në dy vitet e kaluara u shpall hendbollisti më i mirë në Kosovë.
Në Kombëtare është pjesë shumë e rëndësishme e shtatëshes së parë.
Federata e Hendbollit e Kosovës i dëshiron shërim të shpejtë e të suksesshëm si dhe kthim të shpejtë në stërvitje e në ndeshje.