Eugen Saraçini edhe një mandat në krye të FHK-së

Eugen Saraçini do ta udhëheq edhe për një mandat katërvjeçar Federatën e Hendbollit të Kosovës. Në Kuvendin e rregullt Zgjedhor të FHK-së, të mbajtur të premten në Sheshin 21 në Prishtinë, Saraçini mori përkrahje absolute.

Për mandatin e tretë si president i FHK-së, Saraçini u zgjodh me shumicë absolute të votave. Ai është në krye të FHK-së që nga viti 2012, ndërsa zhvillimi i federatës sonë gjatë kësaj periudhe ishte i hovshëm.

Kuvendarët në fakt e kanë respektuar punën e bërë nga FHK-ja.Me shumicë absolute është zgjedhur edhe nënpresidenti i FHK-së, Enis Idrizi, që ka mbajtur këtë pozitë edhe deri më tani.

Me vota të kuvendarëve, në Bordin e FHK-së janë zgjedhur Bajram Isufi, Xhavit Morina e Fatmire Ferati. Shemsa Sadikut i takon vendi në Bord i rezervuar për minoritete. Presidenti Saraçini ka emëruar anëtarë të Bordit edhe Edi Kolgecin, Bujar Istrefin e Berat Danën. Në Bord me automatizëm përfshihen edhe kryetarët e shoqatave profesionale, Shqipe Bajçinca-Brestovci, kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve si dhe Leonard Cula, kryetar i Shoqatës së Trajnerëve.

Në Këshillin Mbikëqyrës janë zgjedhur avokati i mirënjohur Destan Rukiqi, Ylli Pajaziti dhe Rafet Ferizi.

Atmosfera në Kuvendin e rregullt Zgjedhor ishte shumë konstruktive. Të gjitha raportet janë aprovuar pa asnjë vërejtje.

Prezent në Kuvendin e qetë ishin edhe përfaqësuesit e MKRS-së dhe KOK-ut, që kanë lavdëruar punën e bërë nga Federata jonë.Para kuvendarëve presidenti Saraçini ka mbajtur një fjalim ku ka folur për sukseset e arritura në dy mandatat e kaluara si dhe për planet e synimet për mandatin e ardhshëm.

Lajme tjera