Eugen Saraçini: Masat do të jenë të rrepta

Të nderuar miq të hendbollit,
Dhuna e cila u shfaq në ndeshjen mes Vushtrrisë e Trepçës na la shije shumë të hidhur.
Përpjekjet e shumta të klubeve që në mënyrë sportive të zhvillojnë ndeshjet e tyre po dëmtohen e po zbehen për shkak të individëve qe po shkelin ndaj çdo lloj morali jo vetëm sportiv por edhe njerëzor.
Investimet e shumta, sponsorizimet, djersa e udhëheqjeve të klubeve, tifozët e vërtetë e të dinjitetshëm, po i vuajnë pasojat. Zhgënjimi është po aq i madh sa edhe përpjekjet e shumta për ta zhvilluar këtë sport të dashur.
Poenta është te veprimi. Duhet të vazhdojmë të përpiqemi dhe të parandalojmë gjitha manifestimet josportive, të ndalojmë ofendimet e sidomos dhunën.
Rivaliteti sportiv shprehet me duartrokitje dhe jo me incidente.
Po, do të ndërmerren masa. Ato duhet të jenë të ashpra dhe të parandalojnë aktet e tilla në të ardhmen.
FHK-ja dhe klubet tona, qindra vullnetarë do të angazhohen në organizimin e eventeve evropiane në Kosovë. Do të jemi nikoqirë të Kampionatit Evropian U19.
Incidentet, huliganizmi në mesin e lojtarëve dhe tifozëve, padyshim i sjell hije jo të mirë organizimeve të tilla. Por, nuk duhet përgjithësuar, ndaj duhet marrë masa të rrepta ndaj secilit që e dëmton klubin, qytetin, tifozët e sidomos familjet e lojtarëve si nga vendi ashtu edhe ata të cilët vijnë nga vende te tjera për të ushtruar hendbollin te ne. Ata që u lënduan shpresojmë dhe u dëshirojmë që sa më shpejtë t’i kthehen lojës.
FHK-ja si dhe klubet kosovare, udhëheqësitë e klubeve ,lojtarët e vërtetë të këtij sporti, kërkojnë vendosmërisht që ngjarje te këtilla te mos ndodhin më. Përpjekjet duhet të jenë maksimale që ngjarjet sportive të jenë vërtetë sportive.
Klubeve te hendbollit Vushtrria dhe Trepça u bëjmë thirrje të bëjnë maksimumin që të ruajnë qetësinë dhe miqësinë.
JU jeni më të fuqishëm se individët e keqbërësit. FHK-ja qëndron prapa jush.
Ky është moment i duhur që në të gjitha aktivitetet e ardhshme të rishikojmë punën tonë sportive, të disiplinohemi, t’i angazhojmë vetëm ata të cilët sillen në frymën sportive.

Eugen Saraçini, President i FHK-së

Lajme tjera