Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Ferizaj fiton bindshëm ndaj Samadrexhës, Prishtina mposht Kastriotin

Të shtunën janë luajtur tri ndeshje të xhiros së pestë në Superligën e hendbolliste.
Kampioni dhe lideri, Istogu, ka vazhduar me fitore. E mposhti Jusuf Gërvallën në Deçan me rezultatin bindës, 40:20.
Për Istogun është fitorja e pestë rresht. Udhëheq në tabelë me 10 pikë. Arlinda Dinarica i shënoi 13 gola për Istogun. Në dhjetë gola te skuadra vendase u ndal Arjeta Imeraj.
Me fitore ka vazhduar edhe Ferizaj, që ka pikët maksimale pas katër ndeshjeve. Ferizaj e mposhti Samadrexhën me rezultat 40:28 në kryendeshjen e xhiros.
Luljeta Sopjani shënoi 11 gola për Ferizajn, ndërsa Amanda Lemos De Andrade i kishte gjashtë.
Rabina Oz ishte më efikasja te Samadrexha me tetë gola. Gjashtë i kishte Amein Jemmali.
Ndeshja më e barabartë ishte ajo mes Kastriotit dhe Prishtinës, e luajtur po ashtu në Ferizaj. Fitore shënuan prishtinaset me rezultat 36:34. Ermira Berisha i shënoi 13 gola për Prishtinën, ndërsa nëntë gola për Kastriotin i kishte Puhiza Gashi.
Prishtina i ka katër pikë në vendin e gjashtë. Me dy pikë nga katër ndeshje mbetet Kastrioti, që është i shtati.
Ferizaj renditet i dyti me tetë pikë nga katër ndeshje, ndërsa gjashtë pikë nga pesë ndeshje i ka Samadrexha.

Lajme tjera