Në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj do të luhet edhe një superderbi i hendbollit kosovar në mes të Kastriotit vendas dhe skuadrës pejane Besa Famgas. Ndeshja Kastrioti – Besa Famgas luhet të shtunën nga ora 19:00 në javën e 20-të të Superligës A në hendboll (meshkujt).
Kastrioti është në vend të parë me 36 pikë kurse Besa Famgas në vend të dytë me 34 pikë. Kastrioti kohë më parë e mposhti Besën në Ferizaj, kurse skuadra kampione kishte fituar në vjeshtë në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Të dy ndeshjet ishin dramatike dhe me rivalitet dhe njëjtë do të jetë edhe të shtunën. Kastrioti ka angazhuar një lojtar afrikan, ndërsa te Besa është zyrtarizuar një trajner kroat.
Të shtunën janë edhe dy ndeshjet tjera të javës 20 në Superligën A. Nga ora 15:00 takohen Vushtrria e Drita kurse nga ora 18:00 Vëllaznimi e Prishtina.
Në Superligën B luhet java e 19-të, poashtu të shtunën. Trepça e Samadrexha takohen nga ora 18:30 kurse Drenica e Zhegra nga ora 16:00.
Në Ligën e Parë (meshkujt) është java e tetë. Llapi e pret KEK-un nga ora 19:00 të shtunën, kurse nga ora 17:30 po të shtunën takohen Prizreni e Deçani. Ndeshja Ulpiana – Lepenci luhet më vonë, kurse Dukagjini pushon.