Ndonëse janë angazhuar maksimalisht, hendbollistet e Ferizajt janë ndalur në raundin e dytë të Kupës Evropiane. Të dielën Ferizaj e luajti ndeshjen e dytë me skuadrën izraelit Maccabi Arazim Ramat gan. Skuadra izraelite fitoi në “Bill Clinton” me rezultat 33:24. Dallimi i madh në rezultat u bë në minutat e fundit. Pjesa e parë përfundoi 16:13 për Maccabin.
Lëndimi i portieres së Ferizajt, Kaba Teninke, në minutat e parë, e ka pasur ndikimin e madh në rezultat. Teninke të shtunën shkëlqeu, por për fat të keq u lëndua herët të dielën.
Amanda Stein u dallua te Ferizaj me nëntë gola. Shtatë i kishte Amanda Lemos, ndërsa tri i shënoi Luljeta Esati.
Ferizaj ka bërë hap të madh para në krahasim me paraqitjet e kaluara në gara evropiane. Tashmë ka një skuadër garuese që pritet të rivalizojë skuadrat tjetër në garë për titull dhe për kupë të Kosovës.