FHK-ja dënon dhunën në ndeshjen Vushtrria – Trepça

Federata e Hendbollit e Kosovës me shqetësim të madh ka përcjellë rrjedhën e ndeshjes së Superligës A në konkurrencën e meshkujve mes Vushtrrisë dhe Trepçës, e zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën në Vushtrri.
Ndeshja u ndërpre në minutën e 35-të, pas incidenteve të rënda në fushën e lojës.
Për FHK-në është e papranuar dhuna në ndeshjet e hendbollit, pavarësisht se prej kujt shkaktohet ajo. Për më tepër fusha e lojës nuk guxon të cenohet në asnjë mënyrë nga shikuesit.
Organet përgjegjëse të FHK-së do të analizojnë me vëmendje secilin detaj të ndeshjes dhe ndaj të përfshirëve në incidentet e rënda do të marrin masa në përputhje me rregulloret.
Fatkeqësisht siguria për akterët e ndeshjes nuk ishte në nivel dhe forcat policore nuk ia dolën të ofrojnë siguri. Delegati i ndeshjes, para fillimit të ndeshjes ka folur me përgjegjësin e policisë, i cili ka theksuar se numri i pjesëtarëve të policisë është i mjaftueshëm dhe se siguria për të gjithë pjesëmarrësit do të garantohet. Kjo megjithatë nuk ndodhi.
Incidenti i rëndë ndodhi në ndeshjen e xhiros së fundit të Superligës A, përkatësisht të xhiros së 28-të. Është ndeshja e parë e ndërprerë në këtë kampionat dhe që prish imazhin e hendbollit kosovar për të cilin po angazhohemi maksimalsht.
FHK-ja dënon fuqishëm aktet e dhunës dhe do të angazhohet maksimalisht që përgjegjësit të marrin dënimet e merituara.

Lajme tjera