FHK-ja nënshkruan RINCK Konventën me EHF-në

Të mërkurën në ditën e dytë të punimeve të Kongresit të 14-të të rregullt të Federatës Evropiane të Hendbollit, në rend të ditës ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjes shumë të rëndësishme në mes të Federatës tonë dhe EHF-së për instalimin e programit të licencimit dhe shkollimit të trajnerëve në nivel të Federatës Evropiane të Hendbollit, që njihet si RINCK Konventa.

Drejtuesit e Federatës së Hendbollit të Kosovës, zëvendëspresidenti Enis Idrizi dhe sekretari gjeneral Izet Gjinovci, e nënshkruan dokumentin në emër të palës kosovare, ndërsa prej palës së EHF-së nënshkruan presidenti I Federatës Evropiane, Michael Wiederer dhe drejtuesi i Komisionit të Metodikës së EHF-së, Jerzy Eliasz.

Kështu Kosova u bë vendi i 39-të, përkatësisht FHK-ja federate e 39-të e anëtarësuar në këtë sistem unik për shkollimin dhe licencimin e trajnerëve. Më pas nënshkroi edhe Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës duke u bërë anëtarja e 40-të e RINCK Konventës.

Ka dy vite që drejtuesit e FHK-së kanë punuar për sigurimin e kësaj marrëveshje me EHF-në që vlerësohet se do të shërbejë shumë në ngritjen e kuadrit në nivel dukshëm më të lartë dhe në licencimin e tij. FHK-ja në bashkëpunim me Shoqatën e Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës siguroi dokumentacionin e nevojshëm, stafin profesional dhe bashkëpunimin me Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit.

Rrjedhimisht nga muaji gusht pritet të nis shkollimi dhe licencimi i trajnerëve konform RINCK Konventës, në Kosovë. Ky proces i veçantë do të nis nga FHK-ja e SHTHK-ja në bashkëpunim me EHF-në, ndërsa shpresohet se do të ndikojë në ngritjen profesionale të kuadrove.
Për të nënshkruar RINCK Konventën, federata boshnjake është dashur të pres 18 vite.
Presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini aktualisht është në New York dhe nuk ishte në Glasgow të Skocisë ku të martën e të mërkurën u mbajt Kongresi i EHF-së, e ku u morën vendime me rëndësi për hendbollin evropian. Nga New Yorku, ku presidenti Saraçini po qëndron për shkak të angazhimeve që i ka, ai ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes.

“Është një hap i rëndësishëm për hendbollin kosovar. Me nënshkrimin e kësaj Konvente u krijuan kushtet për edukimin dhe arsimimin e trajnerëve kosovar, tash edhe në Kosovë. FHK-ja dhe EHF-ja bënë hapin më të madh ndonjëherë për ngritjen profesionale të trajnerëve të vendit tonë. Në këtë projekt do të jenë të angazhuar ligjëruesit më të mirë evropian dhe ata nga Fakulteti i Edukatës Fizike në Prishtinë. Urojë për këtë marrëveshje trajnerët e tashëm të hendbollit kosovar, por edhe ata të së ardhmes. Mundësitë për ta me këtë marrëveshje janë më të mëdha”, ka thënë Saraçini.

Lajme tjera