FHK-ja organizon dy Kampionate Evropiane, presidenti Saraçini e vlerëson sukses shumë të madh

Presidenti Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci janë kthyer me lajme shumë pozitive nga Kolni i Gjermanisë, ku ishin për pjesën finale të Kampionatit Evropian për hendbollistë.

Gjatë qëndrimit në Gjermani, presidenti Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Gjinovci, janë njoftuar me të arriturën shumë të madhe që FHK-ja do të organizojë dy Kampionate Evropiane për hendbollistë. Bëhet fjalë për Kampionatet Evropiane U20 dhe U18 që do të mbahen gjatë verës.

Lidhur me këtë sukses të jashtëzakonshëm, presidenti Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Gjinovci, të martën kanë mbajtur konferencë për shtyp. Në praninë e mediumeve kryesorë të vendit, dy drejtuesit e FHK-së kanë dhënë detaje për ngjarjet e mëdha që do ta organizohen.

Më poshtë e publikojmë deklaratën e plotë të presidentit Eugen Saraçini:

Kemi ftuar këtë konferencë për të dhënë disa informacione  të rëndësishme për Federatën dhe hendbollin e Kosovës. E këto do të jenë në fokus të gjithë punës për vitin 2024. Dëshirojmë të informojmë se FHK-ja, përkatësisht Kosova, do të jetë nikoqire e dy kampionateve evropiane.

Atij U20 që do të mbahet nga data 13 deri më 21 korrik dhe U18 që do të mbahet nga data 12 deri më 18 gusht.

Këtë vendim e ka marrë Komiteti Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Hendbollit me datën 29 të këtij muaji. Paraprakisht kemi qenë në komunikime të vazhdueshme dhe kemi shprehur gatishmërinë që të jemi organizator të këtyre ngjarjeve dhe pas diskutimeve të shumta kemi dëshmuar se jemi në gjendje të bëjmë një organizim të tillë. Federata Evropiane ka vendosur që këto dy ngjarje të mëdha të mbahen në Kosovë.

Kjo edhe ndoshta do të jetë arritja më e madhe e FHK-së në aspektin organizativ, ku në këto kampionate evropiane për meshkuj do te marrin pjesë edhe ekipet tona që do të sfidohen nga ekipet evropiane.

Ekipet kombëtare që do te marrin pjesë në Kampionatin Evropian U20 do të jenë: Belgjika, Bullgaria, Estonia, Finlanda, Britani e Madhe, Gjeorgjia, Letonia, Luksemburgu, Lituania, Sllovakia, Turqia dhe Kosova.

Ndërkohë, në Kampionatin Evropian U18 janë Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Britania e Madhe, Gjeorgjia, Luksemburgu dhe Kosova. Pra, në kampionatin U20 do të paraqiten 12 ekipe, ndërsa në U18 do të jenë shtatë ekipe kombëtare.

Me këtë rast dëshirojmë që të ftojmë për bashkëpunim të gjithë partnerët e rëndësishëm të FHK-së, duke filluar nga MKRS-ja dhe sponsorët që do të jenë partnerë në organizimin e këtyre eventeve të rëndësishme.

Në kuadër të aktiviteteve të këtij viti do të kemi edhe ekipin U18 të femrave që nga data 28 shkurt do të marrë pjesë në turneun “IHF Trophy Intercontinental” që Uzbekistan, e ku synojmë kualifikimin për Botërorin që mbahet në muajin gusht të këtij viti në Shangai të Kinës.

Ekipi U16 do të jetë pjesë e garave Mesdhetare që do të mbahet nga data 25 shkurt deri më 3 mars në Podgoricë.

Ekipi A i femrave në fillim të muajit prill do të zhvilloj ndeshjet kualifikuese në kuadër të fazës finale për kualifikim në Evropianin 2024, ku do të përballet me Poloninë.

Aktivitete të ndryshme do të kemi edhe në të ardhmen pasi kemi bashkëpunim të mirë me federatën evropiane dhe ndërkombëtare të hendbollit dhe në vazhdim e sipër do të shohim se në çfarë bashkëpunimi tjetër do të futemi dhe cilat do të jenë sfidat tona. Mirëpo, këtë vit e kemi të mbushur me shumë sfida, si në aspektin organizativ ashtu edhe garues.

Lajme tjera