FHK-ja prek nivele të reja, merr të drejtën e organizimit të Evropianit U19

Federata e Hendbollit e Kosovës vazhdon të ketë besimin maksimal të IHF-së dhe EHF-së. Pasi nga IHF-ja mori të drejtën e organizimit të IHF Trophy për hendbollistët U18 dhe U20, Federata e Hendbollit të Kosovës të shtunën mori të drejtën e organizimit të Kampionatit Evropian për hendbollistet deri 19 vjet. Ky Evropian do të mbahet verën e ardhshme në Prishtinë.

Do të jetë hera e parë që FHK-ja organizon Kampionat Evropian për grupmosha të reja.
Vendimi u mor të shtunën në Luksemburg, ku u mbajt Kongresi i 15-të i Jashtëzakonshëm i Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF). FHK-në në Kongres e përfaqësuan presidenti Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm Izet Gjinovci.

Në fakt para Kongresit të Jashtëzakonshëm u mbajt Konferenca e Presidentëve. Gjatë këtyre dy aktiviteteve u morën vendime të rëndësishme për hendbollin evropian në përgjithësi. Janë bërë plotësime të statutit të EHF-së dhe është vendosur për ndryshime në garat e kategorive të reja.

Qëndrimin në Luksemburg, Saraçini e Gjinovci po e shfrytëzojnë për takime me drejtues të EHF-së dhe të federatave nacionale.

Vlen të veçohen takimet me presidentin e EHF-së, Michael Wiederer dhe nënpresidentin e parë të EHF-së, Predrag Boshkoviq. Gjatë takimeve me ta është diskutuar për organizimin e ngjarjeve tjera kontinentale nga FHK-ja. Wiederer e Boshkoviq kanë theksuar se FHK-ja deri më tani është dëshmuar organizatore e shkëlqyeshme dhe se meriton të organizojë ngjarje të rëndësishme.

Me caktimin e Prishtinës si vend organizator të njërit prej evropianëve të grupmoshës U19 (hendbollistet) edhe një herë është konfirmuar bashkëpunimi shembullor i FHK-së me Federatën Evropiane. Evropiani në Prishtinë do të mbahet prej 8 deri më 16 korrik të vitit të ardhshëm. Të paktën dhjetë ekipe kombëtare do të jenë pjesë e Evropianit dhe kështu kryeqendra jonë edhe një herë do të shndërrohet në qytet të hendbollit.

Të kujtojmë që muajin tjetër në Prishtinë mbahet kampionati IHF Trophy për grupmoshën U18 dhe U20 (hendbollistët).

Lajme tjera