Fillim i furishëm i stinorit pranveror

Ndeshje interesante dhe cilësore priten në xhiron e parë të stinorit pranveror të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Ndeshjet e xhiros së 15-të të kampionatit të Kosovës në hendboll luhen këtë fundjavë.

Janë disa ndeshje që pritet të jenë të bukura për tifozët e hendbollit.
Dy skuadrat me traditë, Besa Famgas e Kastrioti, takohen të dielën nga ora 18:00. Me marrëveshje të dy skuadrave kjo ndeshje luhet në Ferizaj. Kastrioti së fundi ka angazhuar disa lojtarë të huaj dhe sinjalet e përmirësimit pritet t’i jap që në këtë ndeshje. Ndërkohë Besa Famgas synon të vazhdoj me fitore.
Skuadra pejane, Besa Famgas, udhëheq në tabelë me 28 pikë. I ka fituar 14 ndeshjet e deritashme. Kastrioti është i pesti me 14 pikë.

Vëllaznimi – Llapi është tjetër ndeshje me peshë që luhet të dielën. Kjo ndeshje zhvillohet në Gjakovë nga ora 17:30.

Vëllaznimi i ka 10 pikë në vendin e gjashtë, aq sa edhe Llapi në të shtatin. Është ndeshje me rëndësi për Superligën A.

Të shtunën janë tri ndeshje. Vëmendja do të jetë në kryeqytet ku takohen Prishtina e Trepça. Ndeshja e dy skuadrave të kreut fillon në ora 19:00. Në Mitrovicë, në vjeshtë, Prishtina kishte fituar me një gol dallim. Andaj me të drejtë pritet lojë e fortë dhe interesante. Dy ndeshjet tjera të së shtunës janë: Deçani – Zhegra (19:00), Rahoveci – Drenica (19:00).

Lajme tjera