Skuadrat e kreut nuk kanë pasur telashe të shtunën në ndeshjet e javës së 18-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Lideri Istogu, ka shënuar fitoren e 18-të rresht dhe udhëheq në tabelë me 36 pikë. Istogaset fituan në Gjakovë ndaj Vëllaznimit me rezultat 37:19. Natalija Milatoviq e Anja Bojaniq shënuan nga 8 gola për Istogun. Këtë shifër golash e kishte edhe Bora Zejnullahu e Vëllaznimit. Vëllaznimi është i teti me 12 pikë.
Vushtrria fitoi ndaj Ulpianës me 36:19. Luljeta Sopjani udhëhoqi për numrin e golave, duke realizuar 12 herë për Vushtrrinë. Tri lojtare të Ulpianës i shënuan nga 5 gola. Vushtrria është e treta me 28 pikë. Ulpiana është e 11-ta me 6 pikë.
Ferizaj fitoi si mysafir ndaj Samadrexhës me rezultat 28:20. Ana Luisa Chaves me 7 gola ishte më efikasja te Ferizaj. Te Samadrexha 7 gola i shënoi Donjeta Mehmeti. Ferizaj është i katërti me 28 pikë. Samadrexha renditet e nënta me 9 pikë.
Fitore si mysafir ka shënuar edhe Jusuf Gërvalla. Skuadra deçanase e mposhti Vjosën me rezultat 36:30. Jusuf Gëvalla mban vendin e shtatë me 14 pikë. Vjosa është e dhjeta me tetë pikë.