Fitore e madhe e Besës ndaj skuadrës norvegjeze

Besa Famgas e ka realizuar synimin që e kishte për ndeshjen e dytë ndaj nënkampionit të Norvegjisë, Drammenit. Pasi kishte humbur me 11 gola dallim ndeshjen e parë të luajtur të dielen e kaluar në Norvegji, te Besa e kishin synim të fitonin ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë të Kupës së EHF-së (EHF Cup). Dhe këtë e bënë. Besa të shtunën në palestrën “Karagaçi” në Pejë fitoi ndaj Drammenit me plot shtatë gola dallim, 27:20. Natyrisht fitorja nuk ishte e mjaftueshme për të kaluar tutje, por ajo mbetet me shumë vlerë pasi është arritur ndaj një skuadre të madhe të një vendi me hendboll shumë të zhvilluar si është Norvegjia.

Kështu Besa të shtunën i ka dhënë fund garimit evropian për këtë edicion, por është përshëndetur me krenari. Në rrethin e parë skuadra e Arben Muqollit kishte eliminuar Batumin e Gjeorgjisë, falë dy fitoreve bindëse. Fuqishëm pejanët u paraqitën edhe në Norvegji ndaj Drammenit, por humbën me rezultat 37:26, rezultat që nuk pasqyronte atë që treguan skuadrat. Sekampioni i Kosovës ka bërë hapa të mëdhenjë para, e dëshmoi të shtunën kur e mposhti me plot shtatë gola Drammenin. Ndeshjen e përcjellën rreth 600 shikues.

Ante Kukrika me gjashtë gola ishte më efikasi. Pesë gola i shënoi Drilon Tahirukaj, ndërsa katër herë shënoi Egzon Gjuka. Por edhe të gjithë të tjerët u shfaqën në nivel të lartë dhe dëshmuan vlera.

Kështu e shtuna mbetet një ditë e madhe për hendbollin kosovar, falë fitoreve të Besës dhe Kastriotit. Janë këto fitore trimëruese para sfidave të shumta që e presin hendbollin kosovar këtë muaj.

Besa Famgas – Drammen 27:20 (14:10)

Besa Famgas: Kukrika 6, Dri. Tahirukaj, Gjuka 4, J. Muqolli 3, Ramosaj 3, Dre. Tahirukaj 3, Jupa 2, B. Idrizi 1, Berisha, Broqi, D. Idrizi, Mehmeti, Y. Muqolli, Tafilaj, Tetova, Vokshi.

Lajme tjera