Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka shënuar fitore të madhe në kualifikimet për Botërorin 2023. Të mërkurën mbrëma në Prishtinë, djemtë tanë fituan ndaj Turqisë me rezultatin 26:24.
Fitorja është arritur me luftë të madhe sportive dhe me angazhim të pashoq. Djemtë tanë, të përkrahur fuqishëm nga shikuesit, kanë ruajtur qetësinë në momentet vendimtare dhe kanë shënuar fitoren e parë në këto kualifikime. Fitorja na mbanë në garë për avancim tutje.
Na duhet fitore të shtunën në Belgjikë dhe po ashtu që Greqia të fitoi ndeshjet me Belgjikën (të enjten) dhe me Turqinë (të dielën).
Pas ndeshjeve të barabarta me Greqinë, të cilat i humbëm me një gol dallim, Kombëtarja jonë ishte e përkushtuar për fitore ndaj Turqisë. Pjesa e parë përfundoi 13:13, ndërsa lojë e barabartë u zhvillua edhe në pjesën e dytë. Por fundin më të mirë e kishim ne, duke fituar me 26:24. Kapiteni Valon Dedaj ishte i shkëlqyeshëm duke shënuar 9 gola nga 16 tentime. Drenit Tahirukaj realizoi 7 gola nga 13 tentime, ndërsa Drilon Tahirukaj i kishte 5 gola nga 7 tentime.
Në pjesën e parë lëndim pësoi Shaban Zogaj, që po kalonte formë të lartë. Ai nuk mundi të paraqitej në pjesën e dytë.
Ndeshje të madhe kishin edhe dy portierët. Haris Berisha i bëri tetë pritje, ndërsa Liridon Zena i kishte tri pritje në momentet e fundit të takimit. Por të gjithë lojtarët dhe shtabi teknik kanë dhënë kontribut të madh për fitore.
Tani motivi te Kombëtarja jonë është rritur shumë dhe drejt Belgjikës udhëtohet për fitore.
Kosova – Turqia 26:24 (13:13)
Kosova: Kastriot Jupa, Valon Dedaj 9, Drenit Tahirukaj 7, Arbios Mushkolaj, Luigj Quni, Festim Mustafa, Drilon Tahirukaj 5, Lulëzim Shabani 1, Haris Berisha 8 pritje, Mursel Mehmeti, Bujar Ramosaj 2, Jon Muqolli, Sali Maxhera, Egzon Gjuka, Liridon Zena 3 pritje, Shaban Zogaj 2