Fitore e ngushtë e Istogut, çdo gjë vendoset në ndeshjen e dytë

Istogu e ka fituar ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane në hendboll (femrat). Të shtunën mbrëma në palestrën e qytetit në Istog, kampioni kosovar fitoi ndaj Çairit të Shkupit me rezultatin e ngushtë, 34:33. Ndeshja është luajtur në atmosferë të bukur në praninë e afro 2000 shikuesve.

Istogu thuajse gjatë tërë kohës ishte në epërsi. Pas pjesës së parë rezultati ishte 17:14. Në pjesën e dytë epërsia e Istogut ishte dukshëm më e lartë, por shkupjanet nuk u ndalën dhe u afruan në një gol. Në rezultat ndikuan edhe disa vendime jo të duhura të istogaseve.

Braziliania Luna Goncalves shkëlqeu tek Istogu me 7 gola nga 8 tentime. Aloja Arlinda Dinarica i kishte 7 gola nga 9 tentime. Aloja tjetër, Dayane Da Rocha i kishte 6 gola nga 9 tentime. Beku Nihed Limem shënoi 5 gola nga 9 tentime.
Njomza Kelmendi i kishte 7 pritje kurse Blerta Ahmetxhekaj kontribuoi me tri pritje.

Teodora Gulicoska u shqua te Çairi me 10 gola nga 13 tentime. Nga 5 gola i shënuan Stefanija Gjorgjievska dhe Amela Gjamkiq.
Ndeshja e dytë luhet të dielën nga ora 17:00, po ashtu në Istog.

Lajme tjera