Fitore e vështirë e Prishtinës në Deçan

Prishtina është dashur ta përmbys rezultatin në pjesën e dytë, për ta fituar ndeshjen në udhëtim ndaj Deçanit. Të hënën në kuadër të javës së nëntë të Superligës, Prishtina fitoi me rezultat 33:30.

Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 19:16 për vendasit. Në pjesën e parë epërsia e Deçanit shkoi deri në pesë gola (17:12, 19:14). Por Prishtina në pjesën e dytë u përmirësua dhe në minutën e 43-të barazoi rezultatin në 24:24. Sërish Deçani u shkëput në dy gola, ndërsa vetëm në minutën e 54-t, Prishtina kaloi në epërsi, 29:28.

Rezultati u barazua në 29:29 e më pas në 30:30. Por në katër minutat e fundit realizoi vetëm Prishtina që në fund fitoi ndeshjen dramatike me 33:30. Albi Gjuka realizoi golat vendimtarë për Prishtinën.
Ai ndeshjen e mbylli me 5 gola. Kapiteni Oltion Beshiri realizoi 8 herë, ndërsa 7 gola i kishte Vlerson Zherka.

Përparim Shala ishte më efikasi te Deçani me 7 gola. 6 i shënoi Drilon Tahirukaj e nga 5 i kishin Dedë Tanushi e Valmir Selmanaj.
Ndeshja tjetër e javës së nëntë në mes të Rahovecit dhe Llapit u fitua nga skuadra vendase me rezultat 31:24. 13:11 ishte rezultati pas pjesës së parë.
Besmir Kusari e Egzon Vuçitërna shënuan nga 9 gola për Rahovecin. Mërgim Ademi realizoi 5 gola për llapjanët.

Lajme tjera