Franca e fiton Evropianin e jashtëzakonshëm

Me një finale të shkëlqyer ka përfunduar Kampionati i jashtëzakonshëm Evropian i hendbollit i mbajtur në Gjermani.
Finalja mes Francës dhe Danimarkës është vendosur vetëm pas vazhdimeve nga pesë minuta. Ishin francezët që festuan në fund, duke fituar me rezultat 33:31. Danimarka ka udhëhequr shumicën e kohës, por fituesi nuk u vendos pas 60 minutave lojë, që përfunduan me 27:27.
Në vazhdimet nga pesë minuta, francezët i shënuan gjashtë gola dhe i pranuan katër për titullin e katërt të Evropës dhe të parin pas dhjetë vjetësh.
Ludovic Fabregas ishte më efikasi te Franca me tetë gola. Legjenda Mikkel Hansen i shënoi nëntë gola për Danimarkën, ndërsa portieri Emil Nilsen ishte i shkëlqyer me 15 pritje. Ai edhe u shpall më i miri i finales.
MVP i Evropianit u shpall Nedim Remili, që realizoi gol shumë të rëndësishëm edhe në finale.
Në ndeshjen për vend të tretë, Suedia e mposhti Gjermaninë me rezultat 34:31.
Ndeshjet u zhvilluan në “Lanxess Arena” në Koln të Gjermanisë para 19 mijë e 750 shikuesve. Ndeshjet e fazës përfundimtare i përcollën edhe drejtuesit e FHK-së, presidenti Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci, që në Koln qëndruan me ftesë të Federatës Evropiane të Hendbollit.

Lajme tjera