Katër skuadra me nam do të paraqiten në ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Ndeshjet gjysmëfinale luhen të premten (nesër) në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Prishtina – Trepça është gjysmëfinalja e parë, që nis në ora 16:00. Prishtina po vazhdon garat në Superligën A, kurse mbanë vendin e dytë me 48 pikë, katër më pak se Besa FamGas. Prishtina nga kjo pozitë do të nis garat edhe në plejof. Ndërkohë Trepça ka mbyllur garën në Superligën B, duke u renditur e para me 22 pikë. Skuadra mitrovicase do të mundohet të bëjë befasi në gjysmëfinalen e parë të Kupës.
Rivalitet shpresohet të ketë edhe në gjysmëfinalen e dytë që fillon në ora 20:00. Takohen Kastrioti i Ferizajt dhe Besa FamGas e Pejës. Besa është e para në Superligën A me 52 pikë kurse Kastrioti është i treti me 30 pikë. Kastrioti është riorganizuar për pjesën e dytë të kampionatit dhe do ta kërkojë rastin e tij në gjysmëfinalen e Kupës.
Finalja te hendbollistët luhet të dielen nga ora 19:15.