Gjuka: Besa Famgas do ta vazhdojë dominimin

Te Besa Famgas janë shumë optimistë para ndeshjes së dytë të serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll.
Besa të enjten prej orës 20:15 është mysafire e Trepçës në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Skuadra pejane ka shumë vjet që dominon në hendbollin kosovar. Dominimin në Superligë synon ta konfirmojë të enjten mbrëma.
“Besa Famgas në çdo ndeshje ka udhëtuar vetëm për fitore. Kur të shtojmë faktin se nga udhëtimi në Mitrovicë mund të kthehemi si kampionë, atëherë vullneti dhe dëshira për këtë ndeshje është edhe më i madh. Trepça këtë vit ka qenë skuadër e organizuar mirë, me aq sa kam parë. Ndeshjet me Trepçën ishin të forta dhe besoj se dhe kjo do të jetë interesante. Por këtë edicion jemi 5:1 në favorin tonë dhe kjo dëshmon se jemi favorit ndaj skuadrës mitrovicase”, ka theksuar kapteni i Besa Famgas, Egzon Gjuka.
Ekipi pejan në kampionat nuk ka asnjë disfatë. Ndërkohë e ka humbur finalen e Kupës nga Trepça.
“Ka shumë vjet që Besa e ka thënë fjalën kryesore në hendbollin kosovar. Peja ka qenë destinacioni i pothuajse të gjithë trofeve në të gjitha kategoritë në hendboll. Këtë vit kemi bërë një lëshim të madh në finalen e kupës, por kjo nuk zbeh dominimin e skuadrës së Besës në hendbollin kosovar. Në Pejë jemi të bindur që ky dominim do të vazhdojë edhe për shumë vite të tjera”, ka theksuar Gjuka.

Lajme tjera