Dita e madhe për hendbollin kosovar është kompletuar me fitoren e Kombëtares së hendbollisteve ndaj Luksemburgut në miqësoren e luajtur në Luksemburg. Kosova fitoi me rezultat 38:33 kurse pas pjesës së parë rezultati ishte 19:18 në të mirë të kombëtares tonë. Albana Arifi ishte më efikasja me 14 gola, por kontribut dhanë të gjitha lojtaret. Leonora Demaj shënoi gjashtë gola, sa i kishte edhe Mirela Gjikokaj. Arlinda Krasniqi shënoi pesë herë ndërsa gola realizuan edhe Albina Rugova (3), Burneta Rama (3) dhe Shkurta Mehmeti (1).
“Pjesa e parë ishte shumë e mirë. Kemi dominuar tërë kohën.Në 15 minutat e pjesës së dytë patëm një rënie, ku vendaset na ikën deri në 5 gola. Mirëpo u rikthyem furishëm dhe çdo gjë ishte në të mirë të Kosovës. Fituam me 5 gola diferencë dhe jam shumë i kënaqur me angazhimin e lojtareve edhe pse ishin të lodhura nga udhëtimi”, ka thënë selektori Agron Shabani.
Të shtunën nga ora 18:00 luhet ndeshja tjetër miqësore me Luksemburgun. Këto ndeshje shërbejnë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese që kombëtarja jonë i luan pas një muaji.