Kombëtaren e Kosovës në hendboll (femrat) nuk e pret punë e lehtë në fazën e parë kualifikuese për Botërorin 2023. Kombëtarja e Ishujve Faroe, me të cilën përballet Kosova në nëntor, është në rritje e sipër. Së fundi kjo Kombëtare u paraqit në fazën e dytë kualifikuese për Euro 2022, nivel në të cilin nuk kishte arritur Kombëtarja jonë.
Ishujt Faroe ishin në grup me Danimarkën, Rumaninë dhe Austrinë, pra në një grup shumë të fortë. Dhe i humbi të gjitha gjashtë ndeshjet duke mos u kualifikuar. Me Austrinë, me të cilën Kosova vjet zhvilloi ndeshje thuajse të barabartë, Ishujt Faroe kanë humbur me katër e pesë gola dallim.
Në fazën e parë kualifikuese për Euro 2022, Ishujt Faroe kishin fituar grupin me Finlandën e Izraelin. Ndërsa Kosova mbeti e dyta në grup pas Portugalisë, duke fituar me Qipron e Luskemburgun. Por Kosova në ato ndeshje ishte paraqitur thuajse e përgjysmuar.
Ishujt Faroe kanë përvojë më të gjatë se Kosova në skenën ndërkombëtare, ndërsa kanë marrë disa fitore rrugës. Por ka edhe humbje të thella. Disa prej lojtareve të Ishujve Faroe bëjnë karrierë në Danimarkë. Ndikimi i hendbollit danez në atë të Ishujve Faroe është i madh.
Kështu Kosovën e presin dy ndeshje të forta, por jo të pakalueshme. Synimi mbetet kualifikimi, sidomos me hendbollistet tona që janë në nivel të lartë të karrierës së tyre.