Istogu është finalisti i parë i plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Istogu të shtunën pasdite fitoi ndaj Vushtrrisë me rezultat bindës, 31:19. Kështu, Kosova do të ketë kampion të ri te hendbollistet.
Vushtrria e ka fituar titullin vitin e kaluar, por këtë herë është ndalur në gjysmëfinale të plejofit.
Istogu e kishte fituar ndeshjen e parë në shtëpi dhe fitoi edhe të shtunën në Vushtrri.
Shkëputja e Istogut nisi herët në ndeshje, ndërsa pas 30 minutave rezultati ishte 14:8. Edhe në pjesën e dytë epërsia e mysafireve ishte bindëse.
Braziliania Dayane da Rocha ishte më efikasja te Istogu me 10 gola. Nga 5 i shënuan Natalia Milatoviq dhe Esma Muratoviq, që e organizoi gjithë lojën e istogaseve. Me pritje është shquar portierja Blerta Ahmetxhekaj.
Te Vushtrria më efikasja ishte Gentiana Basholli me 6 gola. 5 i shënoi Burneta Rama. Numër të konsiderueshëm pritjesh kishte Arjeta Maloku.