Istogu fiton për një gol finalen e parë të luajtur në palestrën e stërmbushur

Një ndeshje dramatike është luajtur të shtunën mbrëma në palestrën në Istog që ishte e stërmbushur me thuaje 2000 shikues.

Hendbollistet e Istogut dhe ato të Ferizajt e kanë zhvilluar ndeshjen e parë të finales së plejofit në Superligën e Kosovës. Skuadra e Istogut pas një ndeshje interesante ka fituar me një gol dallim, 32:31.

Tani Istogut i duhet edhe një fitore apo një barazim për ta siguruar titullin e kampionit. Por natyrisht Ferizaj nuk është dorëzuar dhe do ta kërkojë përmbysjen e rezultatit. Ndeshja e dytë luhet mesjavën e ardhshme në Ferizaj.

Ndeshjen e parë finale më mirë e nisi skuadra mysafire që në minutat e parë krijoi epërsi deri në tri gola. Pas minutës së 18-të, në epërsi kaluan vendaset që po ashtu u shkëputën deri në tri gola. Pjesa e parë përfundoi me rezultat 16:14 për vendaset.

Epërsinë prej dy-tri golave, Istogu e mbajti edhe në fillim të pjesës së dytë. Në minutën e 43-të, Istogu ishte në epërsi prej katër golave, 25:21. Por ferizajaset nuk u dorëzuan. U afruan në rezultat, disa herë deri në një gol. Në minutën e 59-të rezultati ishte 31:30. Vendaset shënuan për 32:30, ndërsa fare në fund Ferizaj shënoi për rezultatin përfundimtar, 32:31 për Istogun.

Në përgjithësi ishte një ndeshje interesante dhe e hapur deri në fund. Vlen të ceket atmosfera shumë e mirë dhe sjelljet korrekte të shikuesve që e mbushën palestrën në Istog.

Natalia Milatoviq udhëhoqi Istogun me 9 gola. 8 herë realizoi Esma Muratoviq, ndërsa Dayane Da Rocha i realizoi 8 penallti. 6 gola i shënoi Anja Bojaniq e një Adelina Berisha.

Te Ferizaj, 10 gola i shënoi braziliania Ligia Da Silva. Braziliania tjetër, Ana Luisa Chaves shënoi 7 gola dhe u shqua me organizim të lojës.

Albulena Basha e Larissa Da Silva shënuan nga 4 gola. 3 i shënoi Meri Koneski, ndërsa nga një e shtuan Mirjeta Dinolli e Albulena Kelmendi.

Lajme tjera