Istogu i gatshëm për dy ndeshjet evropiane

Te KHF Istogu janë të gatshme për dy ndeshjet evropiane që i luajnë në shtëpi. Të premten prej orës 18:00 dhe të shtunën, po ashtu prej orës 18:00, Istogu takohet me skuadrën KA/Por nga Islanda.

Ndeshjet i takojnë raundit të dytë të Kupës Evropiane (European Cup). Te Istogu kanë pranuar se KA/Por është skuadër cilësore, por premtojnë më të mirën në tentim për të avancuar tutje.

Istogu ka bërë ndryshime në krahasim me edicionin e kaluar, ndërsa në përbërje ka disa reprezentuese të Kosovës dhe disa lojtare nga Mali i Zi. Cilësia te kjo skuadër nuk mungon, por mbetet të shihet nëse është e mjaftueshme për ta kaluar skuadrën nga Islanda.

KHF Istogu për herë të pestë po luan në Evropë. Vjet në raundin e dytë të Kupës Evropiane e kaloi Vushtrrinë. Në raundin e tretë i luajti dy ndeshje të barabarta dhe shumë të forta me skuadrën nga Bjellorusia, Victoria-Berestie. U eliminua për një gol.
Në ndeshjen ndaj skuadrës islandeze, Istogu pret përkrahje të madhe nga shikuesit.

Lajme tjera