Hendbollistet e Istogut e kanë mbrojtur titullin e kampionit të Kosovës. Në finale të plejofit, Istogu fitoi 2:0 ndaj Vushtrrisë.
Ndeshja e dytë finale u luajt të mërkurën mbrëma në Vushtrri, ndërsa Istogu fitoi me rezultat 35:28.
Kupën e kampionit për kapitenen e Istogut, Albina Rugova, e kanë ndarë zëvendës-ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.
Skuadra e drejtuar nga Faruk Shala, Istogu, e ka përfunduar kampionatin me të gjitha fitore. Të mërkurën në ndeshjen përfundimtare nisi herët shkëputjen. Në pjesën e dytë epërsia e istogaseve ishte vazhdimisht e lartë.
Hendbollistet kryesisht të reja të Vushtrrisë kanë bërë përpjekje maksimale, por cilësia ishte në anën e mysafireve nga Istogu. Istogu më herët ka fituar edhe Kupën e Kosovës, ndërsa tani i ka tre tituj të kampionit të Kosovës. Të parin e ka fituar në vitin 2019. Istogu ka dominuar gjatë gjithë edicionit dhe tani i gëzohet dy trofeve.
Tainara Luna Goncalves ishte më efikasja tek Istogu me tetë gola. Gjashtë i kishte Arlinda Dinarica, ndërsa pesë i shënoi Dayane Pires Da Rocha. Kontribut kanë dhënë të gjitha hendbollistet.
Te Vushtrria, Burneta Rama i shënoi dhjetë gola. Shtatë i kishte Agnesa Hysa e pesë Gentiana Basholli.