Te Istogu po bëhen gati për festë të hendbollit, në prag të ndeshjeve me KHF Vushtrria. Istogu e Vushtrria kanë rivalitet sportiv në garat vendore, kurse për herë të parë do të takohen në kuadër të Kupës Evropiane.
Ndeshja e parë luhet të shtunën (nesër) në Samadrexhë, kurse e kthimit pas një jave në Istog.
“Të shtunën në Samadrexhë të Vushtrrisë dhe një javë më pas në Istog, do të jetë festë e hendbollit për të dy qytetet, por edhe për hendbollin në përgjithësi dhe FHK-në. Në kuadër të rrethit të dytë të Kupës Evropiane takohen aktualisht dy skuadrat më të organizuara dhe më cilësore në vend, që janë mike jashtë fushës së lojës, por me rivalitet të madh brenda saj.
Këto ndeshje i bën më madhështore fakti se me hendboll promovohen dy palestra të reja sportive, në Samadrexhë dhe Istog, që janë vatra të hendbollit, sidomos atij femëror. Janë vende që shumë vite kanë zhvilluar aktivitetet me shumë vështirësi, por me shumë sukses. Andaj kjo vërtetë është një festë e madhe për hendbollin kosovar i cili edhe një herë konfirmohet si sporti me dorë numër një në vend”, thotë Faruk Shala, trajner i Istogut.
“Rivalja jonë, Vushtrria, ka skuadër cilësore, të përgatitur dhe të organizuar. I përgëzoj udhëheqësit dhe stafin profesional për punën e mirë që po e bëjnë. Presim ndeshje cilësore. Ne si skuadër jemi përgatitur aq sa ishte e mundur në rrethanat që po kalojmë. Të dy skuadrat na penalizon fakti që ndeshemi në këtë fazë, kur ende nuk ka filluar Superliga dhe nuk kemi pasur mundësi të kemi më shumë ndeshje kontrolluese, si pasojë e kohës së shkurtër prej kur janë hapur palestrat.
Jemi të gatshëm për zhvillimin e dy ndeshjeve, në të cilat synojmë kualifikimin tutje. Synojmë rezultat pozitiv si mysafir dhe në Istog të konfirmojmë kualifikimin në një ndeshje që është historike për ne dhe vet qytetin, ngase për herë të parë luajmë në shtëpinë tonë në Istog. Jemi të motivuar të japim më të mirën që palestrën e qytetit në Istog ta promovojmë me kualifikim në raundin tjetër”, ka shtuar Shala.