Java e madhe e hendbollit

Në foto shihet presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini bashkë me trajnerin, Fatmir Muhaxheri dhe përzgjedhësin e kombëtares sonë, Taip Ramadani.

Në prag të ngjarjeve të mëdha për hendbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi, presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini  i shoqëruar nga trajnerët Taip Ramadani e Fatmir Muhaxheri të martën kanë mbajtur konferencë për shtyp.

Në ditën e mërkurë (nesër) nisin aktivitetet e rëndësishme të hendbollit, që Federatën dhe sportin tonë pritet ta ngritin në nivel dukshëm më të lartë. Nga ora 19:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit luhet ndeshja e kombëtareve A mes Kosovës e Izraelit që i takon fazës së dytë të eliminatoreve për “Euro 2020”.

Po të mërkurën fillon gara shumë e rëndësishme, IHF Trophy Intercontinental, që ofron biletën për botërorin e juniorëve. IHF Trophy Intercontinental zhvillohet për grupmoshën U21 e U19 dhe tashmë në Prishtinë janë vendosur ekipe kombëtare nga të gjitha kontinentet.

“Jemi me fat që po e organizojmë këtë ngjarje të IHF-së. Ka pasur konkurrencë mjaft të madhe për të fituar të drejtën e organizimit të kësaj ngjarje dhe fatmirësisht ne e kemi marrë mbi vete këtë organizim”, ka thënë presidenti Saraçini, për të vazhduar: “Në të dy grupmoshat kemi ekipet tona të cilat marrin pjesë, kështu që besoj dhe shpresoj në organizim të mirë dhe në rezultate. Do të garojnë nga gjashtë ekipe përfaqësuese te U19 dhe te U21. Ky aktivitet i rëndësishëm do të ndihmojë hendbollin, i cili shumë më tepër se më parë po kuptohet si sport i rëndësishëm  dhe me renome në Kosovë. Jemi në finish të përgatitjeve dhe nesër fillojmë me gara. Në të njëjtën ditë është edhe ndeshja e rëndësishme mes Kosovës e Izraelit. Angazhimet e deritashme të federatës kanë rezultuar shumë të suksesshme. Të tri reprezentacionet janë në përgatitje intensive dhe të gatshme për gara”.

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Taip Ramadani ka folur për përgatitjet e poashtu për kundërshtarin e së mërkurës, Izraelin. Ka thënë se Izraeli ka ekip cilësor, të përgatitur fizikisht dhe me përvojë.

“Është ekip i përsosur, i kompletuar dhe luan me një sistem. Shumë pak i devijojnë sistemit të trajnerit, pra janë të diciplinuar dhe serioz. Izraeli në tetor ka befasuar me Poloninë. Ne kemi pasur katër ditë përgatitje në Turqi, luajtëm dy miqësore dhe pata rastin të shoh formën e lojtarëve të mi. Jam shumë i kënaqur me shumicën e lojtarëve që janë të përgatitur mirë”, ka thënë Ramadani.

Kryetrajneri i kombëtares U21, Fatmir Muhaxheri ka folur për atmosferën e mirë te juniorët.

“Atmosfera është e mirë, përgatitjet kanë shkuar mirë. Kemi skuadër cilësore , ndërsa kemi bërë disa përforcime me lojtarë që luajnë jashtë. Nëse zëmë vendin e parë kualifikohemi për në botëror dhe do të shkruajmë historinë. Mendoj se do të kualifkohemi”, ka thënë Muhaxheri.

Lajme tjera