Jusuf Gërvalla barazon me Shqiponjën, Kastrioti fiton për një gol në Samadrexhë

Të shtunën u luajtën katër ndeshje të javës së 13-të të Superligës së Kosovës në hendboll (femrat). Njëra prej tyre nuk dha fitues.
Në Deçan, Jusuf Gërvalla e Shqiponja e Gjakovës luajtën 27:27.
Në pjesën e parë u shkëputën herë njëra e herë skuadra tjetër. Në pjesën e dytë rezultati ishte i përafërt deri në fund. Pas epërsisë 26:25 të Jusuf Gërvallës, Diellza Nuza shënoi dy gola për Shqiponjën që kaloi në epërsi 27:26. Learta Gashi shënoi golin e barazimit për skuadrën Jusuf Gërvalla. Me 27:27 edhe përfundoi ndeshja.
Arjeta Imeraj shënoi 14 gola për Jusuf Gërvallën. 5 i kishte Adelina Qufaj.
Aurora Lokaj shënoi 9 gola për Shqiponjën, ndërsa shtatë i kishte Orgesa Gola.
Shqiponja është e gjashta me 13 pikë. Jusuf Gërvalla renditet e teta me pesë pikë.
Ndërkohë Kastrioti i Ferizajt ka fituar për vetëm një gol ndaj Samadrexhës.
Ndeshja në Samadrexhë përfundoi 24:23 për ferizajaset. Ndeshja ishte interesante dhe e hapur deri në fund. Por pikët shkuan në Ferizaj.
Arlinda Maloku i shënoi nëntë gola për Samadrexhën, ndërsa te Kastrioti më efikasja ishte Lorena Matarova me tetë gola. Luljeta Sopjani i shënoi pesë gola, duke përfshirë dy të fundit.
Vushtrria ka fituar pa telashe ndaj Vëllaznimit, me rezultat 47:25. Prishtina fitoi në Klinë ndaj Dukagjinit me rezultat 43:28.
Derbi i xhiros mes Istogut e Ferizajt luhet të dielën prej orës 18:00.

Lajme tjera