Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kampioni merr pikë në kryeqytet, Vushtrria fiton në Ferizaj

Nuk ka dhënë fitues derbi i xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës në hendboll (femrat). Të shtunën në kryeqytet, Prishtina e Ferizaj barazuan 33:33.

Skuadra prishtinase kishte epërsi prej dy golave pas pjesës së parë, 18:16, por atë nuk e mbajti deri në fund. Ndeshjen më mirë e hapën ferizajaset që kishin epërsi deri në minutën e 17-të. Më pas lojtaret e Prishtinës kaluan në avantazh prej një goli, ndërsa në fund të pjesës së parë kishin dy gola epërsi. Në pjesën e dytë Prishtina kishte fillim të furishëm dhe krijoi epërsi prej 21:16 e 23:17. Në minutën e 53-të rezultati u barazua në 28:28. Kampioni aktual, Ferizaj, më pas kaloi në epërsi prej një goli, ndërsa kishte edhe dy gola avantaazh, 32:30. Por Prishtina barazoi në fund, 33:33, për të fituar një pikë.

Kapitenia Aida Stagova ishte e pandalshme te Prishtina me 11 gola të realizuar. Numër të njëjtë golash për Ferizajn i shënoi Albulena Kelmendi.

Prishtina është e treta me 30 pikë, kurse Ferizaj i katërti me 27 pikë.

Ndeshje e rëndësishme ishte edhe ajo e luajtur në Ferizaj në mes të Kastriotit dhe Vushtrrisë. Fitore shënoi skuadra vushtrriase me rezultat 27:23. Pas pjesës së parë rezultat ishte 13:9 në të mirë të Vushtrrisë.  Lorena Matarova shënoi 6 gola për Vushtrrinë, ndërsa Kosovare Avdiu e Donita Kosumi nga 5. Puhiza Gashi shënoi 8 gola për Kastriotin.

Vushtrria është e dyta me 34 pikë ndërsa Kastrioti i pesti me 27 pikë.

Po të shtunën, Istogu fitoi bindshëm ndaj Vëllaznimit (41:15), derisa Jusuf Gërvalla e mposhti Dritën me 35:20.