Në fitoren historike të muajit prill ndaj Izraelit, kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Valon Dedaj ishte i pandalshëm duke shënuar plot 10 gola. Prej Dedajt lojë e mirë pritet edhe të mërkurën nga ora 20.00 kur Kosova luan ndeshje tjetër të rëndësishme me Poloninë. Kjo ndeshje luhet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Kombëtarja jonë prej të premtes po punon intenzivisht për ndeshjen me Poloninë e poashtu për atë me Gjermaninë që luhet më 16 qershor në Nurnberg. Me ndeshjen me Gjermaninë përfundon për kombëtaren tonë faza e dytë kualifikuese për “Euro 2020”.
Por te Kosova janë të koncentruar që fillimisht të paraqiten mirë me Poloninë, ndërsa kapiten Dedaj vlerëson se përkrahja e shikuesve do të ishte me vlerë të madhe.
“Jemi duke u përgatitur shumë për këto dy ndeshjet e mbetura. Ekipi është kompletuar dhe të gjithë jemi në formën e duhur. Do të japim maksimumin në të dy ndeshjet. Të mërkurën e presim Poloninë, ku besoj dhe shpresoj që me ndihmën e publikut do të arrijmë rezultat pozitiv. Ndaj Gjermanisë më pas do të mundohemi të kemi paraqitje dinjitoze dhe të japim më të mirën”, ka theksuar Valon Dedaj.