Kapitenja Demaj: Ndeshjet me Danimarkën na shërbejnë për rritje të mëtejme

Kapitenja Leonora Demaj është njëra prej tri lojtareve të Kosovës që luajnë në elitën daneze. Në ligën elitare të Danimarkës janë edhe motrat Marigona dhe Arlinda Hajdari, dy tjera top-lojtare të Kosovës.

Danimarka e Kosova takohen të enjten prej orës 21:00 në Horsens, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Kombëtarja ka zhvilluar disa stërvitje në Prishtinë ndërsa sot udhëtoi për në Danimarkë.

“Dihet cilësia e Danimarkës. Është një nga kombëtaret më të forta në botë. Për ne ndeshjet me Danimarkën janë një mësim i madh dhe i rëndësishëm. Shpresoj që këto dy ndeshje të shërbejnë për rritje të Kombëtres sonë. E dimë që jemi larg Danimarkës, mirëpo e kemi një gjë që nuk e kanë danezet – ne jemi luftëtare dhe do të luftojmë deri në sekondën e fundit. Do të mundohemi të jemi të suksesshme dhe të kemi fitore të vogla gjatë ndeshjes”, ka thënë Demaj.

Ajo beson se Kombëtarja e Kosovës është në rrugën e duhur. Vlerëson edhe disa hendbolliste të reja që janë të talentuara dhe që një ditë do të jenë të rëndësishme në Kombëtaren A. Demaj i gëzohet ardhjeve të reja në Kombëtaren e Kosovës.

Në grup me Kosovën është edhe Polonia. Demaj thotë se Kosova do ta kërkojë rastin ndaj Polonisë, ky synohet të paktën një barazim që mund të jetë i mjaftueshëm për kualifikim në Evropian.

Bashkë me Mirela Gjikokajn, që po shkëlqen në elitën e Norvegjisë, Demaj dhe motrat Hajdari janë “boshti” i Kombëtares së Kosovës.

“Jemi tri lojtare në Danimarkë dhe një në Norvegji. Kjo na ndihmon goxha shumë sepse e kemi stilin thuajse të njëjtë në Skandinavi. Kur kemi grumbullime më të shpeshta e bënë më të lehtë që të kuptohemi dhe të bashkëpunojmë. Natyrisht kontributi i secilës lojtare është i rëndësishëm”, ka thënë Leonora Demaj.

Lajme tjera