Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kapitenja e Kosovës, Leonora Demaj, po shkëlqen në Danimarkë

Në Danimarkë, vendin që të dielen u shpall kampion i botës në hendboll, po shkëlqen kapitenja e kombëtares së Kosovës, Leonora Demaj. Ajo po e udhëheq skuadrën Sonderjyske drejt elitës së hendbollit danez. Danimarka e ka shumë të zhvilluar hendbollin e femrave, njëjtë si atë të meshkujve, dhe ka njërën prej ligave më të forta evropiane.

Sonderjyske pas 14 javëve renditet në vend të dytë me 22 pikë. Horsensi është i pari me 27 pikë. Vendi i parë dërgon direkt në elitë kurse vendi i dytë dhe i tretë në garat shtesë për një vend në kampionatin elitar.

Skuadra e kapitenes tonë të shtunën fitoi ndaj Bjerringbro me rezultatin 29:26. Në këtë ndeshje Demaj ishte prej më të mirave, si në të gjitha ndeshjet e fundit. I shënoi 6 gola. Me 58 gola në 14 takime, Demaj është prej shënueseve të mira të kampionatit. Numri i golave të saj po shkon duke u rritur gradualisht, por Demaj kërkon edhe më shumë nga vetja.

“Në lojërat e fundit kam luajtur shumë mirë, mirëpo nuk jam e kënaqur ende. I kam pasur disa lëndime që kanë ndikuar që mos të jem ende aty ku duhet të jam”, ka deklaruar Leonora Demaj. Tani skuadrën e saj e pret derbi me Horsensin, më 1 shkurt. “Horsensi ka luajtur mirë gjithë sezonin. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Mirëpo nuk besoj që mund të arrijmë vendin e parë pasi i kemi 5 pikë më pak. Duhet të mbajmë vendin e dytë dhe qëllimi ynë është të luajmë ndeshjet kualifikuese për në ligën e parë”, ka thënë Demaj. Ajo është e vendosur të kthehet në elitën daneze.

“Unë kam dëshirë të kthehem në ligën e parë. Por qëllimi im është që të përfundojmë mirë këtë sezon dhe të kalojmë në elitë. Jam shumë e kënaqur në Sonderjyske dhe shpresoj që rikthimi në ligën e parë do të jetë me Sonderjysken”, ka shtuar Leonora Demaj.

Në vendet skandinave, por edhe në Gjermani e Zvicër luajnë disa prej hendbollisteve të kombëtares së Kosovës. Përshembull në Norvegji me plot sukses po paraqiten Mirela Gjikokaj e Dorentina Osmani, që poashtu kanë shumë vlerë për kombëtaren e Kosovës.
Leonora si kapitene, po i përcjell lojtaret tjera të Kosovës.

“Natyrisht që i përcjelli vajzat e Kosovës. Më vjen shumë mirë që po zhvillohen si duhet. Më shumë jam e lumtur që zhvillimi i tyre do ta forcojë Kosovën. Të gjitha punojmë në atë drejtim, që ta forcojmë Kosovën dhe të arrijmë suksese të reja”, ka thënë Demaj.