Kastrioti i gatshëm për ndeshjen në Belgjikë

Kastrioti i Ferizajt është i gatshëm për ndeshjen që e luan në Vise të Belgjikës. Në kuadër të rrethit të tretë të Kupës Sfiduese (Challenge Cup) për hendbollistë, Kastrioti takohet me skuadrën belge Vise dhe ka optimizëm se mund të kalohet edhe ky kundërshtar. Ndeshja e parë luhet në Belgjikë të dielen (nesër) prej orës 20:30. Ndërsa ndeshja e kthimit është në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj më 24 nëntor nga ora 19:00.

Kastrioti në rrethin e dytë arriti sukses historik duke e kaluar skuadrën nga Estonia, Tallinn. Ndeshjet ishin luajtur në Ferizaj më 13 e 14 tetor kurse skuadra e Verim Zherkës fitoi me rezultat të përgjithshëm 51:47.

Skuadra belge Vise është paraqitur në katër vitet e kaluara në Kupën Sfiduese. Në tri raste ka zënë vend në mesin e 16 më të mirave. Për Visen luajnë shumë hendbollistë të huaj nga vende tjera evropiane. Kastrioti ka në përbërje dy lojtarë nga Maqedonia, por edhe disa reprezentues të Kosovës që pritet të japin kontribut të madh.

Kastrioti u ka bërë thirrje bashkëatdhetarëve në Belgjikë por edhe në shtetet tjera përreth saj që t’i ofrojnë përkrahje në ndeshjen e parë. Rezultati i mirë nga ndeshja e parë do të hapte rrugën për Kastriotin për të vazhduar ëndrrën evropiane.

Lajme tjera