Kastrioti konfirmon formën, fiton ndaj Trepçës në Mitrovicë

Portieri Liridon Esati mbylli portën në pjesën e dytë për ta udhëhequr Kastriotin ndaj fitores në Mitrovicë. Esati bëri shumë pritje, ndërsa Kastrioti i Ferizajt e mposhti Trepçën me rezultatin 25:22. Ishte ky derbi i xhiros së 25-të të Superligës A, ndërsa u luajt të mërkurën mbrëma.
Kastrioti falë mbrojtjes së fortë, në pjesën e dytë pranoi vetëm gjashtë gola. Dhe ky ishte çelësi i suksesit ndaj “xehetarëve”.
Pjesa e parë ishte e fortë dhe e barabartë, ndërsa në pushim vendasit shkuan me epërsi prej dy golave (16:14). Në pjesën e dytë u shquan portierët, Esati i Kastriotit dhe Meriton Lladrovci i Trepçës. Por derisa mbrojtja e Kastriotit funksionoi deri në fund, ajo e vendasve dështoi më shpesh në minutat e fundit.
Prej minutës së 49-të mysafirët ishin në epërsi të lehtë, ndërsa në fund epërsia e tyre arriti në tre gola, 25:22.
Me lojë të mirë është shquar edhe pivoti Jeton Bislimi, që ndeshjen e mbylli me 6 gola. 6 gola i kishte edhe Samid Mekiq. Nga 5 i realizuan Hamdi Salihu e Guilherme Da Silva.
Te Trepça, Egzon Ademi, Sali Maxhera e Muhamet Dubovci i shënuan nga 4 gola.
Trepça mbetet e treta me 31 pikë. Kastrioti është i pesti me 25 pikë. I është afruar vetëm në tri pikë Rahovecit të vendit të katërt.

Lajme tjera