Televizioni grek që e ka transmetuar ndeshjen mes Greqisë dhe Kosovës, ERT3, ka kërkuar falje për lëshimin që e ka bërë.
Në grafikën e ndeshjes flamuri i Kosovës ishte paraqitur në formë të çrregullt. Në vend të hartës së Kosovës ishte paraqitur harta e Australisë.
Federata e Hendbollit e Kosovës ka reaguar menjëherë për këtë rast, duke kërkuar sqarime nga Federata greke.
Të martën televizioni grek ERT3, përmes një përgjigje për mediumin kosovar koha.net, ka kërkuar falje për lëshimin e bërë. Televizioni grek ka njoftuar se gabimi ishte i një punëtoreje që hartën e çrregullt të Kosovës e ka marrë në një faqe të internetit në gjuhën greke. Televizioni grek ka mohuar që paraqitja e çrregullt e flamurit të ketë qenë qëndrim zyrtar i televizionit.
Ndërkohë simbolet e shtetit tonë janë shfaqur pa asnjë problem në ndeshje. Është paraqitur flamuri në palestër dhe është intonuar himni. Flamuri i Kosovës është paraqitur edhe në autobusin me të cilin kemi udhëtuar në Heraklion e po ashtu ka qenë i shfaqur në hotelin ku kemi qëndruar. Pritja e Federatës greke për delegacionin tonë ka qenë shumë e mirë. Po ashtu kemi marrë falënderime për pritjen që i kemi bërë delegacionit grek në Prishtinë. Raportet mes dy federatave janë shumë korrekte.