Kombëtarja është gati për ndeshjen me Britaninë e Madhe

Kombëtarja e Kosovës në hendboll është plotësisht e gatshme për ndeshjen e parë me Britaninë e Madhe.
Kosova dhe Britania e Madhe përballen të mërkurën prej orës 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Është kjo ndeshja e parë e raundit promovues të kualifikimeve për Euro 2026. Ndeshja e dytë është të shtunën në Derby të Anglisë. Por Kombëtarja jonë synon që në ndeshjen e parë ta bëjë hapin e madh drejt kualifikimeve të rregullta.
Të përzgjedhurit e selektorit Bujar Qerimi janë grumbulluar javën e kaluar, kur edhe i luajtën dy miqësore me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kombëtarja ka vazhduar më pas punën në Prishtinë, ndërsa atmosfera është shumë e mirë.
Kombëtarja jonë është favorite ndaj Britanisë së Madhe, ndërsa këtë duhet ta dëshmojë në fushën e lojës.
Në nëntor, Kombëtarja jonë i luajti dy ndeshje të forta me Sllovakinë në kualifikimet për Botëror. Njërën prej tyre e fitoi. Tjetër fitore në Prishtinë synohet të mërkurën mbrëma ndaj Britanisë së Madhe, që në nëntor pësoi dy humbje të thella nga Finlanda.
Grupi i lojtarëve është kompletuar të martën dhe të gjithë lojtarët që ishin në listë janë të gatshëm për lojë. Shpresohet edhe në përkrahje të madhe nga tribunat e palestrës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet.
Ndeshja do të transmetohet në RTK.

Lajme tjera