Kombëtarja luan dy miqësore në Slloveni

Në foto shihen hendbollistët e Kombëtares sonë bashkë me trajnerët e tyre.

Kombëtarja A e Kosovës në hendboll, por me mungesa të shumta në përbërje, do të luajë dy ndeshje miqësore-kontrolluese në Slloveni. Kombëtarja jonë do të ketë përballë kombëtaren e Arabisë Saudite, ndërsa ndeshjet shërbejnë për të fituar përvojë për djelmoshat e rinjë dhe për të provuar disa emra të rinjë. Kombëtarja të shtunën është nisur për në Slloveni, ndërsa ka arritur në këtë vend të dielen. Ndeshja e pare luhet të martën ndërsa e dyta të mërkurën.

Ekipi kombëtar është i kombinuar për këto dy sfida. Janë ftuar lojtarë të rinjë si Dymal Kernaja, Valon Istrefi e Rron Ramadani.

Përzgjedhësi Taip Ramadani nuk ka mundur të llogaris në gjashtë lojtarë të Besa FamGas që tashmë kanë nisur stërvitjet me skuadrën e tyre. Poashtu për shkak të orarit dhe të angazhimit në klubet e tyre nuk është llogaritur në lojtarët që bëjnë karrierë në Zvicër, Gjermani e Suedi. Nuk kanë udhëtuar as dy-tre talente që aktualisht janë me U-20 në kampionat evropian. Kështu ekipit kombëtar i mungojnë rreth 15 lojtarë, por të tjerë që do të fitojnë rastin do të kenë mundësi të mirë të shfaqin vlerat në këto takime testuese-kontrolluese.

Kombëtarja pritet të vazhdojë me miqësore cilësore edhe në vjeshtë. Në tetor janë planifikuar ndeshje me Luksemburgun dhe Turqinë.

Lajme tjera