Kombëtarja përfundon përgatitjet në Prishtinë, nesër udhëtimi për në Podgoricë

Të hënën mbrëma Kombëtarja e Kosovës në hendboll e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para udhëtimit për në Podgoricë. Udhëtimi për në kryeqendrën e Malit të Zi bëhet të martën në mëngjes.
Të mërkurën nga ora 18:00 është ndeshja Mali i Zi – Kosova. Është ndeshja e parë e kualifikimeve për Euro 2024.

Atmosfera në stërvitjen e fundit ishte shumë e mirë, ndërsa hendbollistët janë të përkushtuar të japin më të mirën në ndeshjen e vështirë ndaj Malit të Zi.

Selektori Bujar Qerimi nën urdhra i kishte të gjithë lojtarët në të cilët llogarit për dy ndeshjet e kësaj jave. Të dielën luhet takimi Kosova – Sllovenia. Por aktualisht i gjithë fokusi është te ndeshja me Malin e Zi.
Kosova përballet me mungesa, por po ashtu ka emra të rinj në Kombëtare.

“Na mungojnë tre lojtarë, dy për shkak të lëndimeve dhe një për shkaqe personale. Që të tre janë lojtarë kryesorë të Kombëtares së Kosovës, mirëpo nuk kemi kohë të vajtojmë. Ata nuk janë dhe tani ne e bëjmë komponimin me këtë grup që kemi. Atmosfera ka qenë e mirë që nga dita e parë. Lojtarët kanë punuar jashtëzakonisht mirë”, ka theksuar selektori Qerimi.

Ai është i bindur se lojtarët do të lënë çdo gjë në fushën e lojës. Vetëm kështu mund të shpresohet në sukses.
“Tash e kemi kualitetin dhe na mbetet që të angazhohemi. Besoj që janë të hapura mundësitë. Unë premtoj që angazhimi do të jetë maksimal”, ka shtuar Qerimi.

Lajme tjera