Kombëtarja e Kosovës në hendboll (femrat) po bënë hapa para. Dëshmi për këtë është edhe rezultati i ndeshjes së luajtur të mërkurën mbrëma në Ferizaj në mes Kosovës e Hungarisë, njërës prej kombëtareve më të fuqishme evropiane.
Ndeshja përfundoi me fitoren e pritur të Hungarisë me rezultat 37:15, por kombëtarja jonë është paraqitur më mirë se që ishte paraqitur në ndeshjen e parë ndaj hungarezeve. Në Budapest më 27 shtator të vitit të kaluar, Kosova humbi me rezultat 37:12. Të mërkurën në Ferizaj pranoi numër të njëjtë golash, por shënoi tri gola më shumë, pra 15. Këtë e arriti përkundër faktit që munguan lojtare të rëndësishme për shkak të lëndimeve, përfshirë kapitenen Leonora Demaj.
Ishte kjo ndeshja e parafundit e Kosovës në fazën e dytë eliminatore për evropian. Kombëtarja jonë mbetet e fundit në grupin e shtatë. I ka humbur të gjitha pesë ndeshjet. Është mposhtur edhe nga Holanda si vendase dhe nga Bjellorusia si vendase e si mysafire. Të shtunën vajzat tona e luajnë ndeshjen e fundit, kur i shkojnë Holandës, një superfuqie tjetër të hendbollit botëror.
Në pjesën e parë të ndeshjes, hendbollistet e Kosovës ia dolën të shënojnë vetëm tri gola. Kështu 30 minutat e parë përfunduan me rezultat 16:3 për hungarezet. Pjesa e dytë ishte bindshëm më e mirë për Kosovën. Mirela Gjikokaj,Fitore Aliu, Arlinda Krasniqi, Adriana Merditaj, Shkurta Mehmeti e Pashke Marku ia dolën që të thejnë mbrojtjen e fuqishme hungareze, që përbëhej nga lojtare të gjata, me përvojë dhe shumë të fuqishme. Por lojtaret tona në pjesën e dytë patën më shumë vetëbesim se në pjesën e parë dhe në raste shfaqën aftësitë e tyre. Me pritje të mira në portë u dalluan Njomëza Kelmendi e Dorentina Osmani.
Paraqitja jep shpresë se në të ardhmen me një short më të favorshëm kjo gjeneratë mund të arrijë rezultate dukshëm më të mira dhe kështu të tejkalohen sukseset e verës së kaluar kur me fitoret ndaj Gjeorgjisë dhe Izraelit u kalua me sukses faza e parë kualifikuese.
Kosova – Hungaria 15:37 (3:16)
Kosova: Osmani, Ferataj, Kameri, Mehmeti 1, Rexhepi, Aliu 3, Krasniqi 3, Kelmendi, Merditaj 2, Marku 1, Rugova, Shehdadi, Stagova, Gjikokaj 5.
Hungaria: Schatzl 7, Kovacsics 1, Horva-Pasztor, Kisfaludy 2, Sirian, Palos-Bognar 1, Hornyak 7, Hafra 3, Faluvegi 4, Puhalak 3, Janurik, Lokacs 2, Szabo, Karnik 2, Szekerczes 4, Toth 1.