Kombëtarja U20 e Kosovës për hendbollistë ka fituar thellë ndaj Maltës me rezultat 47:17, të shtunën në ditën e parafundit të garës IHF Trophy për Evropë, që është duke u zhvilluar në Prishtinë. Ishte kjo një fitore e lehtë për djelmoshat e Fatmir Muhaxherit që nuk hasën në rezistencë të madhe nga maltezët. Për kombëtaren tonë ishte fitorja e katërt nga po aq ndeshje të luajtura. Kosova udhëheq në grup me tetë pikë, kurse nga gjashtë pikë i kanë Moldavia e Gjeorgjia.
Gjeorgjia në ndeshjen e parë të ditës e mposhti Moldavinë me rezultat 25:23. Në ndeshjen e dytë Britania e Madhe fitoi ndaj Irlandës me rezultat 26:21.
Shumë më e thellë ishte fitorja e Kosovës ndaj Maltës që është e fundit në grup. Të gjithë lojtarët e Kosovës shënuan gola në këtë ndeshje.
Kështu Kosova është afruar titullit që do t’ia hap rrugën drejt pjesëmarrjes në botërorin e vitit tjetër për juniorë. Ndeshja vendimtare luhet të dielen (nesër) prej orës 15:00 ndaj Moldavisë. Nëse Kosova përfundon e para, siguron pjesëmarrjen në IHF Trophy Interkontinental. Nëse e fiton edhe atë nivel kualifikohet në botëror dhe shënon sukses historik. Ndaj Moldavisë, Kosovës i mjafton edhe barazimi. Ndeshjet tjera të ditës së fundit janë: Gjeorgjia – Irlanda (11:00), Malta – Britania e Madhe (13:00).
Malta – Kosova 17:47 (11:23)
Kosova: Luzha, Gubetini 4, Abazi 5, Dugolli 2, Tafilaj 1, Shabani 2, Hoxha 3, Tahirukaj 6, Mustafa 5, Beqiraj, Muqolli 4, Rudari 4, Basholli 3, Bajqinovci 8.