Kombëtarja A e Kosovës në hendboll i ka zhvilluar stërvitjet e para në prag të ndeshjeve me Britaninë e Madhe. Të enjten të përzgjedhurit e selektorit Bujar Qerimi zhvilluan dy stërvitje në palestrën e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Grupi i lojtarëve nuk është kompletuar ende, ndërsa kjo do të ndodhë ditëve të ardhshme.
Lojtarët ishin të përkushtuar dhe të uritur për të shfaqur më të mirën. Është punuar në aspekte të ndryshme të lojës së hendbollit.
Të premten paradite, Kombëtarja A e zhvillon stërvitjen e radhës në Prishtinë, ndërsa në mbrëmje (17:00) luan ndeshje përgatitore me Kombëtaren e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ndeshja do të zhvillohet në Shkup. Miqësore tjetër me Emiratet e Bashkuara Arabe do të ketë të shtunën mbrëma po në Shkup.
Të mërkurën e ardhshme, më 10 janar, Kombëtarja jonë luan në Prishtinë me Britaninë e Madhe. Ndeshja e dytë me Britaninë e Madhe është në Derby më 13 janar. Ndeshjet i takojnë raundit promovues të kualifikimeve për Euro 2026.
Kombëtarja më e mirë pas dy ndeshjeve avancon në kualifikimet e rregullta. Te Kosova ka optimizëm se do të kalohet Britania e Madhe dhe kështu do të sigurohet paraqitja në kualifikime, ku edhe e ka vendin Kombëtarja jonë.