Kosova luan mirë, por megjithatë mposhtet nga Polonia

Për kohë shumë të gjatë Kombëtarja e Kosovës ishte rivale plotësisht e barabartë, e në momente edhe më e mirë se Polonia. Por megjithatë në fund fituan polaket me rezultat 34:27, që nuk dëshmon atë që u shfaq në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Ndeshja e së enjtes i takoi kualifikimeve për Euro 2024.

Vajzat tona e nisën ndeshjen shumë mirë, me seri 5:1.

Polonia u afrua, por Kombëtarja e Kosovës e mbajti epërsinë deri në fund të pjesës së parë. Pas 30 minutave rezultati ishte i barabartë, 17:17.

Lojë e fortë dhe e barabartë u zhvillua deri në minutën e 50-të, ndonëse polaket ishin para me një e dy gola. Por vajzat tona me angazhim të pashoq kërkuan barazimin. Pas minutës së 50-të në shprehje erdhi fondi më i pasur i Polonisë me lojtare cilësore dhe po ashtu përvoja e mysafireve në nivel të lartë.
Kështu dallimi në rezultat u bë më i madh se që në fakt është dashur të jetë.

Vajzat tona meritojnë mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin maksimal, ndonëse në fund nuk u shpërblyen me pikë.

Kapitenia Leonora Demaj i shënoi 12 gola për Kosovën. Gjashtë i kishte Mirela Gjikokaj, ndërsa tri Elisa Mulaj. Me nga dy gola kontribuuan Dafina Mustafa e Arlinda Dinarica. Portierja Aurora Kryeziu u shqua me dhjetë pritje. Por kontribut kanë dhënë të gjitha vajzat.

Të dielen Kombëtarja jonë e luan ndeshjen e fundit në kualifikime për Euro 2024. Në Zielona Gora përballet sërish me Poloninë, nga ora 18:00.

Lajme tjera