Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kosova U19 humb gjysmëfinalen

Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll ka dëshpëruar në gjysmëfinale të garës IHF Trophy Intercontinental. Të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, kombëtarja jonë pësoi thellë nga Taipei Kinez me rezultat 35:26. Kështu Kosova U19 të dielen (nesër) do të luajë për vend të tretë.

Ka pasur shumë lëshime në paraqitjen e Kosovës ndaj Taipeit Kinez. Kombëtarja jonë ka pasur telashe të përballojë lojën e shpejtë dhe të papërshtatshme të aziatikëve. Pos në shpejtësi, lojtarët e Taipeit Kinez në ndeshjen e së shtunës ishin superior edhe për sa i takon angazhimit, përgatitjes fizike dhe disciplines taktike.

Në lojën e Kosovës ka pasur telashe si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, ndërsa në minutat e fundit të pjesës së dytë janë shfaqur edhe telashe të mëdha të natyrës fizike. Por ndeshja ndaj Taipeit Kinez, si dhe të gjitha ndeshjet tjera të kësaj gare, do të janë një përvojë shumë e mirë për lojtarët e kësaj gjenerate për të evidentuar dobësitë dhe për të punuar më shumë në të ardhmen.

Kosova U19 kishte fituar ndaj Zelandës së Re me rezultat bindës, 41:14, kurse të premten humbi nga Kanada me 35:31.

Gjysmëfinalen tjetër mes Kanadës e Nigerisë e ka fituar Nigeria me rezultat 32:25. Kështu në finale të dielen takohen Nigeria me Taipein Kinez. Për vend të tretë luajnë Kanada e Kosova. Të shtunën u luajt edhe ndeshja për vend të pestë në mes të Paraguajit e Zelandës së Re. Fitore shënoi Paraguaji me rezultat 23:20.

Ndeshja për vend të tretë luhet të dielen prej orës 12:00, ndërsa finalja prej orës 16:00.

Taipei Kinez U19 – Kosova U19 35:26

Kosova: Mani, Berisha, Rexha 1, Gojani, Maloku, Isufi 5, Neziri 1, Selmani, Vokshi 4, Y. Muqolli 10, Quni 2, Dukaj, L. Muqolli, Bytyqi 3.