Loja e Kosovës U19 sa shkon e përmirësohet në Kampionatin Evropian të Divizionit B që po mbahet në Riga të Letonisë. Djemtë e trajnerit Taib Kabashi të enjten ishin rivalë të barabartë me Malin e Zi, ndërsa vetëm në aksionet e fundit malazezët kanë arritur te fitorja.
Ndeshja përfundoi me rezultat 30:26 për Malin e Zi që kështu në gjysmëfinale kalon si fitues i grupit A. Kosova e ka humbur ndeshjen e tretë rresht dhe tani luan për plasman. Fillimisht të shtunën takohet me Luksemburgun.
Paraqitja e djemve tanë ndaj Malit të Zi ishte dukshëm më e mirë se ndaj Turqisë e Holandës. Kjo është dëshmi që Evropiani është përvojë e domosdoshme dhe shumë e suksesshme për Kosovën U19.
Pas pjesës së parë rezultati ishte 15:11 në të mirë të Malit të Zi. Por Kombëtarja jonë nuk u dorëzua dhe u mbajt në lojë në pjesën e dytë. Në minutën e 50-të rezultati u afrua në 26:24 e më pas edhe në 27:25 e 28:26. Mungesa e përvojës ndikoi që të lëshohen raste të mira për ta ngushtuar epërsinë në vetëm një gol. Madje Kosova i kishte disa mundësi të tilla. Në fund Mali i Zi shënoi edhe dy gola për të fituar 30:26.
Menot Pozhegu i kishte 9 pritje, ndërsa nga 6 gola i shënuan Ermal Dukaj e Ardin Berisha. Dukaj i kishte 10 tentime, kurse Berisha, njëri prej bartësve të lojës, i kishte 19 tentime. 4 gola nga 7 tentime i shënoi Arjanit Murseli, ndërsa me gola kontribuuan edhe Ajdin Gashi, Jon Vokshi, Ermir Januzi e Dardan Ramadani.
Ngritja e vazhdueshme shpresojmë të kurorëzohet me fitore të shtunën ndaj Luksemburgut e më pas edhe në ndeshjen përmbyllëse për vend të pestë.