Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Kryendeshja e Ligës së Kampionëve në RTV 21 Plus

Televizioni që i kushton hapsirë të madhe sportit të hendbollit, RTV 21 Plus, edhe këtë fundjavë do të vazhdojë me transmetimin e ndeshjeve elitare të hendbollit, ato të Ligës së Kampionëve. Është ky një rast i mirë për sportdashësit në Kosovë që të shohin hendbollistët më të mirë në botë dhe zhvillimet më të reja në sport.

Kështu të shtunën (nesër) në xhiron e katërt të fazës grupore, prej orës 16:00 luhet ndeshja në mes të Barcelonës dhe Montpellierit. Montpellieri është kampion aktual i Ligës së Kampionëve derisa Barcelona ka më së shumti tituj, nëntë. Të fundit e ka fituar në vitin 2015. Barcelona është e dyta në grupin A me dy fitore e një humbje. Montpellieri francez ka nisur keq duke i humbur tri ndeshjet e para. Pritet një ndeshje shumë interesante dhe cilësore.

Të shtunën transmetohet edhe një ndeshje e madhe. Nga ora 17:30 në ekranin e RTV 21 Plus mund të përcjellet takimi mes skuadrave franceze Paris Saint-Germain dhe Nantes. PSG ka fituar tri ndeshjet e para dhe udhëheq në grupin B. Nantesi është i pesti në grupin B me një fitore e dy humbje.

Të dielen transmetohet takimi tjetër i grupit B, përkatësisht xhiros së katërt. Nga ora 16:50 zhvillohet takimi mes skuadrës daneze Skjern Handbold dhe Zagrebit të Kroacisë. Skjerni është i katërti me dy fitore e një humbje, ndërsa Zagrebi i gjashti me një fitore e dy humbje. Për Zagrebin paraqitet hendbollisti kosovar Arbër Qerimi, që po ka paraqitje të mira në elitën e hendbollit evropian.